Komisioni i pavarur i kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Elbasanit Bujar Musta, pas problemeve të shumta që i janë evidentuar në të treja kriteret.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Musta u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Bujar Musta e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Elbasan. Në vitin 2014, Musta i është nënshtruar një procedimi disiplinor dhe ka marrë “vërejtje me paralajmërim” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Dyshime për veprime fiktive

Gjyqtari Musta ka deklaruar në vitin 2010 blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 121 m2 në Elbasan kundrejt shumës 3 milionë lekë, kur sipas çmimit të referencës së Entit Kombëtar të Banesave, EKB, vlera ka qenë në shumën 5.9 milionë lekë. Sipas relatorit Hamitaj, subjekti nuk e ka pasqyruar burimin në deklaratën periodike, por ka shënuar pakësimin e gjendjes cash dhe një hua në shumën 1 milion lekë për blerjen e apartamentit.

Në deklaratën veting ai ka deklaruar si burime të ardhurat nga puna dhe nga shitja e një apartamenti në Burrel; si dhe 500 mijë lekë të dhuruara nga vëllai.

Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti ishte blerë fillimisht nga vjehrri i Mustës në vitin 2004 për 3 milionë lekë dhe i ishte shitur një personi të tretë në vitin 2006 për 3.5 milionë lekë, përpara se të blihej nga gjyqtari.

Nga analiza financiare e kryer në KPK, Musta ka rezultuar në pamundësi financiare për krijimin e kursimeve në fund të vitit 2009, pasi është konstatuar balancë negative fondesh në shumën 1.4 milionë lekë. Ndërsa për apartamentin e blerë në 2010-ën është konstatuar pamundësi financiare në vlerën rreth 1.8 milionë lekë.

Sipas KPK, subjekti ka deklaruar se nga shtatori i vitit 2007 deri në 2010-ën kur është formalizuar kontrata e shitblerjes së apartamentit, ka jetuar në këtë banesë pa kundërshpërblim. Ai ka shpjeguar se shitësi i apartamentit është kushëri i gradës së dytë me bashkëshorten dhe se janë dakordësuar për të jetuar aty pa kundërshpërblim.

Në seancë u relatua se kushëriri i bashkëshortes së subjektit, E.L. ka deklaruar se e ka marrë hua të gjithë vlerën 3.5 milionë lekë që ka shërbyer për blerjen e apartamentit nga vjehrri i gjyqtarit Musta. Ai ka sqaruar se e ka shlyer huanë kur Musta e ka blerë apartamentin dhe i ka paguar vlerën 3 milionë lekë, si dhe duke shtuar shumën 500 mijë lekë nga të adhurat nga aktivitetit privat. Hamitaj tha se nuk është provuar që huadhënësi i E.L. të ketë pasur mundësi me burime të ligjshme për shumën 3.5 milionë lekë.

“Ka mungesë logjike ekonomike nga ana e E.L, i cili e ushtronte aktivitetin në Kavajë dhe nuk ka pasur asnjë pikë të biznesit të tij në qytetin e Elbasanit. Për më tepër, E.L. nuk ka përdorur burime të tijat për blerjen e pasurisë, por e gjithë shuma ka qenë hua,” pohoi Hamitaj.

Ai shtoi se nuk është provuar marrja dhe kthimi i huasë 3.5 milionë lekë; se apartamenti rezulton të jetë përdorur nga subjekti për 3 vjet pa paguar qira; dhe se është shitur 500 mijë lekë më lirë. “Duket jo bindëse që këto veprime të jenë kryer nga një biznesmen. Si rrjedhojë ngrihen dyshime për veprime fiktive,” pohoi Hamitaj.

Trupi gjykues ka verifikuar mundësinë e vjehrrit të subjektit për blerjen e apartamentit në Elbasan, prej nga ka rezultuar se ai kishe blerë dhe një apartament tjetër në vitin 1999 në Tiranë, ku ka jetuar edhe familja e subjektit. Megjithëse ai ka shitur një apartament në Lushnjë në shumën 1 milion e 350 mijë lekë, nga analiza financiare për periudhën 1999-2002 ka rezultuar me balancë negative në shumën 2.9 milionë lekë për pagesat e kryera për apartamentin në Elbasan në vitin 2002.

“Ka dyshime  se kjo pasuri është fshehur pas kontratave fiktive, pasi subjekti nuk ka pasur burime financiare të ligjshme në vitin 2002 dhe në vitin 2006 kur janë kryer dy blerjet e mëparshme të këtij apartamenti,” theksoi Hamitaj.

Ndërkohë nuk janë gjetur probleme për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2010.

Nga analiza e përgjithshme financiare për periudhën 2003-2016 ka rezultuar pamundësi financiare në shumën totale 4 milionë lekë.

Gjyqtari Musta tha se u qëndronte parashtrimeve me shkrim të depozituara për pasurinë dhe kërkoi që gjendja cash të konsiderohej sipas përllogaritjes së tij.

Problemet me figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar papërshtashmërinë e gjyqtarit Musta për të vazhduar detyrën që në raportin e parë të vitit 2017. Sipas Hamitajt, edhe në raportin e përditësuar, DSIK ka përfshirë informacion shtesë që ngrenë dyshime për përfshirjen e subjektit në korrupsion pasiv, veprime të kundërligjshme dhe shpërdorim detyre.

Relatori sqaroi se Komisioni ka analizuar disa materiale dhe informacione të klasifikuara dhe ka analizuar 8 dosje ku janë konstatuar disa rrethana që në dinamikën e tyre konfirmojnë informacionet e DSIK.

“Ose të paktën nuk përjashtojnë favorizimin e personave të caktuar që kanë përfituar dënime më të buta për rrethana të ngjashme të gjykuara nga vetë subjekti,” tha Hamitaj.

Gjyqtari Musta u mbrojt për figurën duke sjellë në vëmendje se shtete si Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin pajisur me vizë në të kaluarën. “Po të kisha pasur probleme nuk do më kishin lënë të hyja,” tha Musta dhe theksoi se nuk ishte dakord me raportin e DSIK-së.

Ai shpjegoi se ka qenë edhe anëtar i Komisionit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe se nuk kishte pasur asnjë problem. “Në asnjë periudhë nuk më është vënë në dijeni që të kem kontakte të papërshtatshme. Nuk kam qenë nën ndikikmin e krimit të organizuar dhe duhet të konsiderohem i besueshëm për figurën,” pohoi Musta.

Ai këmbënguli se nuk kishte pasur favorizime të të proceduarve, por vetëm vlerësim të provave dhe zbatim të praktikave gjyqësore, si të Gjykatës së Lartë, ashtu dhe asaj Kushtetuese.

Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, ish-KLD ka regjistruar në vitin 2012 procedim disiplinor ndaj gjyqtarit Musta, kur edhe i është dhënë vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra, për shkak të zvarritjeve të proceseve gjyqësore nga ana e tij. Hamitaj tha se subjekti e ka ankimuar dhe aktualisht çështja gjendet e rekursuar në Gjykatën e Lartë.

Ashtu si ish-KLD dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka konstatuar probleme. “Subjekti ka treguar pamjaftueshmëri profesionale duke dhënë vendime në kundërshtim me ligjin; duke sjellë pasoja të rënda dhe duke cënuar besimin e publikut. Vendimet e subjektit cënojnë rëndë figurën e gjyqtarit”, relatoi Hamitaj konstatimet e KLGJ-së.

Ai shtoi se janë konstatuar moskryerje të veprimeve që subjekti ka qenë i detyruar ti kryente dhe se kjo ka sjellë favorizimin e të pandehurve.

Hamitaj renditi disa çështje të gjykara nga subjekti i rivlerësimit. Për një çështje ndaj shtetasit S.Ç., ai shpjegoi se Musta ka shkelur disa nene të Kodit të Procedurës Penale.

“Veprimet dhe mosveprime duket se janë kryer me dashje, pasi rrethanat kanë qenë shumë të qarta, por me dashje nuk janë kryer,” pohoi Hamitaj dhe e cilësoi këtë situatë si diskretitim të rëndë të figurës së gjyqtarit.

Në vijim të relatimit, Hamitaj shpjegoi se ndaj S.Ç. dhe dy të pandehur të tjerë për vrasje me paramendim, prokurori ka kërkuar në vitin 2008 deklarimin fajtor dhe dënimin e tyre, por trupi gjykues ku bënte pjesë dhe subjekti i ka shpallur të pafajshëm. Apeli e ka prishur këtë vendim, por pas rekursimit në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit e ka rikthyer për shqyrtim në Apel.

Apeli në këtë gjykim i ka dhënë të drejtë shkallës së parë duke i shpallur të pafajshëm të pandehurit, por vendimi është rekursuar nga prokuroria. Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e prokurorisë duke lënë në fuqi pafajësinë.

Duke iu referuar ndryshimit të vendimit për pafajësinë e të pandehurit S.Ç të akuzuar “për vrasje me paramendin” nga Apeli Durrës, ai tha se në atë kohë kishte pasur presion ndaj gjykatës me mitingje politike dhe prandaj ishte prishur vendimi. Ai shtoi se vendimarrja e tij ishte lënë në fuqi nga një trupë tjetër e Apelit dhe nga Gjykata e Lartë që ka refuzuar rekursin.

Sipas Hamitajt, ish-KLD ka marrë vendim tjetër duke vendosur shkarkimin nga detyra të Mustës, por gjykatat e kanë rrëzuar dhe subjekti ka vazhduar detyrën.

Megjithëse SPAK ka informuar se ndaj subjektit nuk është regjistruar ndonjë procedim penal, ka sqaruar se ai është përmendur gjatë hetimit të një çështje të vitit 2019 dhe se procedimi është ende i regjistruar pa emër konkret. Më herët është vendosur mosfillim hetimi për një kallëzim të kryer në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe për pesë kallëzime në Prokurorinë e Tiranës.

Hamitaj evidentoi edhe disa çështje të gjykuara nga subjekti në Gjykatën e Elbasanit. Sipas relatorit, në një rast Musta ka qenë pjesë e trupit gjykues megjithëse ka pasur pengesë ligjore.

Në një çështje, të shqyrtuar nga një trup gjykues ku bënte pjesë edhe Musta, është pranuar kërkesa e prokurorisë për ndryshimin e akuzës për një të pandehur, nga “trafikim i të miturve” në “kalim i paligjshëm i kufirit”. “Nuk është kryer analizë e qartë ligjore se si është vedosur ndryshimi i akuzës, si dhe nuk është kryer as dëgjesa e dëshmitarëve”, tha Hamitaj.

Ndaj gjyqtarit Musta janë depozituar 31 denoncime nga publiku. Sipas KPK, janë konstatuar probleme në disa prej çështjeve të denoncuara, për të cilat subjekti ka dhënë shpjegime.

Subjekti kundërshtoi edhe konstatimet për profesionalizmin. “Të njëjtat vendimarrje do merrja dhe sot për këto dosje,” tha Musta.

Ai i cilësoi si të qëllimshme pocedimet disiplinore të kryera nga ish-KLD. Për një prej procedimeve ai pretendoi se raporti ishte hartuar nga një avokat që më pas ishte emëruar drejtor në Inspektoriat.

“Presidenti merrej me emrin tim kur bënte mbledhje. Edhe sot nuk e di se çfarë kanë pasur me mua”, pohoi Musta dhe sqaroi se nuk kishte pasur vendim shkarkimi të ish-KLD-së për të. Ai kërkoi që në vlerësimin e profesionalizimit të konsiderohej edhe ngarkesa e madhe.

“KLD i ka bërë me dashje të gjitha. Për kokë të çunit, s’i di shkaqet pse e filluan atë procedim”, tha gjyqtari Musta.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Musta pretendoi se kishte pasur burime të ligjshme financiare për krijimin e pasurive, se nuk kishte qenë ndonjëherë nën ndikimin e krimit dhe se kishte pasur këmbëngulje dhe guxim në kryerjen e detyrës.