Deputeti i PD-së Gazment Bardhi është përjashtuar për 5 ditë nga Kuvendi për shkak të përplasjeve dhe sjelljes së tij të bërë dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve teksa diskutohej për Portin e ri të Durrësit.

Pas disa orësh diskutimesh kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka hodhi në votim pr/ligjin, por kjo u kundërshtua ashpër nga deputetët e Partisë Demokratike.

Në momentin që po votohej vetëm nga socialistët, deputeti i PD Gazment Bardhi u ngrit nga vendi dhe ka marrë mikrofonin drejtueses së Komisionit duke e hedhur. Po ashtu Bardhi hodhi edhe letra në drejtim të Klotilda Bushkës

“Nuk ka më diskutim, do kalojmë në votim, sepse ju kolegë nuk keni respekt. Në momentin që ju flisni ne ju respektojmë. Në momentin që ne flasim ju flisni në korr. Atëherë kalojmë në votim. Kush është dakord me projektligjin? Të numërojë votat sekretaria”, tha Bushka, ndërsa në këtë moment, Gazment Bardhi ngrihet nga vendi dhe i hedh mikrofonin.

Pavarësisht përplasjeve, me votat e deputetëve të mazhorancës është miratuar ratifikimi i marrëveshjes për projektin e Portit të Durrësit.