Ulet konsumi i energjisë elektrike në vend. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar në vend është shpenzuar rreth 6% më pak energji elektrike .
Konsumi i energjisë elektrike për vitin 2022 arriti në 7,9milionë MWh, ndërsa konsumi i energjisë elektrike i regjistruar në vitin 2021, ishte 8,4 milionë MWh, ku ky i fundit përbën dhe konsumin më të lartë historik në vendin tonë.
Kjo ulje e konsumit total të energjisë elektrike është reflektuar për të gjitha kategoritë e konsumatorëve si biznese dhe familjarë. Ndikim në uljen e sasisë së energjisë së konsumuar gjatë vitit që lamë pas ka dhënë kriza energjitike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, e cila çoi në një rritje rekord të çmimeve të energjisë ne verën e vitit 2022. Në këtë situatë institucionet shqiptare morën masa për të reduktuar konsumin e energjisë elektrike nëpërmjet fushatave sensibilizuese midis të cilave edhe paralajmërimi për vendosjen e një fashe ne bazë të cilës kush harxhonte më shumë energji do ta paguante atë më shtrenjt.
