Kandidati për kryetar PD-je në Gjirokastër, Gjergji Dudi, dhe  njëherësh nga nga themeluesit e kësaj force politike pretendon se nuk i është lejuar të votojë, për shkak se ka mbështetur kandidaten Edith Harxhi. Në një komunikim për Fax News, Dudi, i cili ka qenë dhe kryetar i grup seksionit 18, është shprehur se kanë qenë shumë persona që nuk janë lejuar të votojnë, dhe nuk e kanë gjetur emrin në lista.

“Unë vij nga një familje tërësisht e djathtë, kam qenë kryetar seksioni gjatë gjithë këtyre viteve, kam qenë kandidat për kryetar partie për Gjirokastër, dhe nuk më kanë lejuar që të votoj, pasi nuk kam emrin.

Kjo që po ndodh është masakër zgjedhore, ka dhe shumë të tjerë si unë, që nuk kanë mundësi që të votojnë”, u shpreh Dudi.

Ai tha se të gjitha parregullsitë janë duke u dokumentuar dhe do ti bëhen të ditura edhe kandidates Harxhi.

“Çdo zëri ndryshe në PD iu është përgjuar madje e mbajtur shënim edhe reagimet në Facebook. Nuk jam unë i vetmi, ka plot demokratë të tjerë që s’kanë votuar sot. Çdo parregullsi do ta dokumentojmë përmes një raporti”, tha më tej Dudi.

Rreth 75 mijë anëtarë me të drejtë vote të Partisë Demokratike, janë duke votuar sot në të gjithë vendin për kryetarin  që do ti drejtojë në katër vitet e ardhshme. Në garë janë Lulzim Basha, i cili kërkon mandatin e tij të tretë, Edith Harxhi, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli.

Të tre kandidatët përballë Bashës kanë pasur pretendime në lidhje me procesin, dhe me largimin e njerëzve padrejtësisht nga listat.