Pasiguria që prodhoi konflikti Rusi-Ukrainë në tregjet botërore, detyroi qeverinë shqiptare që për herë të parë t’i shtonte skemës kombëtare të mbështetjes për bujqësinë edhe 1.2 miliardë lekë si subvencion për kultivuesit e grurit. Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca deklaroi se qasja e fermerëve ndaj skemës që u çel në 1 shtator është ‘fantastike’, ndërkohë që këta të fundit ankohen se procesi po zvarritet. Edhe ekspertët e bujqësisë mendojnë se skema ‘çalon’ për shkak të burokracive.

“Të dashur fermerë: Qasja juaj ndaj thirrjes së skemës mbështetëse të grurit, në 24 orët e para, ka qenë fantastike, duke kaluar parashikimet tona! 740 fermerë kanë aplikuar nga veriu në jug, për një sipërfaqe prodhimi prej 6,550 hektarë, me një angazhim të buxhetit të vënë në dispozicion që në ditën e parë të thirrjes, prej 20%.” – shkruante në rrjetin social Facebook, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca 24 orë pas çeljes së thirrjes kombëtare të mbështetjes që qeveria po jep për grurin.

Por deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe që kishte ndjekur nga afër procesin e aplikimeve në Drejtorinë e Bujqësisë Lushnje ndante një panoramë krejt ndryshe në rrjete sociale.

“DITA 1 PËR “GRURIN”. DREJTORIA E BUJQËSISË NË LUSHNJE, SHIHENI-ORA 10.50, KORRIDORET BOSH, PA BUJQ! Nga ora 8.00 deri tani janë veç 20 aplikime për vetëm 35 HEKTARË! JEMI KEQ! EJANI APLIKONI! MERRNI NJË KARTË IDENTITETI DHE HAJDENI DEKLARONI SIPËRFAQEN QË DO MBILLNI”- shkruante në reagimin e tij Braçe, shoqëruar me një thirrje ndaj zyrtarëve përgjegjës për të hequr barrierat ndaj fermerëve.

“E dyta është thirrje për KOKOBOSHËT E ZYRAVE TË TIRANËS: HIQNI BARRIERAT, HIQINI TANI!”

Po përse interesi i fermerëve është i ulët për mbështetjen që qeveria po jep për kultivimin e grurit? Faktoje kontaktoi me disa prej tyre në Korçë dhe Fier, dy nga qarqet që kanë sipërfaqet më të mëdha të mbjella me grurë në Shqipëri.

Xhentil Avdyli nga Kolonja së bashku me familjen ka në pronësi 6 hektarë tokë, nga të cilat duan të mbjellin me grurë 2 hektarë. Ndonëse ka aplikuar që ditën e parë, ai ka pak besim se do të jetë një nga përfituesit e skemës për shkak të dokumentacionit që kërkohet në fazën e dytë.

“Në një fazë tjetër do të na kërkohen dokumentet e pronësisë së tokës dhe faturat e farës së grurit dhe plehrave kimike. Këto të fundit penalizojnë çdo fermer. Kemi 30 vjet që mbjellim grurë me farën që përdorim çdo vit. Dhe në momentin që do të kërkohen dokumentat për t’i skanuar dhe ngarkuar në sistem fermerit i mungojnë faturat e farës dhe plehrave kimike dhe nuk do të shpallet fitues. Në këtë mes i fituar del vetëm ai oligarku që sjell farën nga jashtë. Se fermeri nuk fiton asgjë.”- sqaron fermeri.

Për kryetarin e Shoqatës së Fermerëve Eduard Sharka janë pikërisht këto kritere të cilat penalizojnë fermerët.

“Skema çalon në kriterin mbi një hektar dhe në burokracitë e dokumentave që kanë lidhje me pronësinë e parcelave. Vetëm një skicë Bashkia e Lushnjes e kishte 4000 lekë, por Këshilli e rrëzoi dhe tani do jepet falas, po bashkitë e tjera? 70% e pronarëve të tokave janë në emigracion, si do e marrësh konfirmimin për përdorim ?!”- thekson Sharka për Faktoje.

Ervin Resuli, ekspert në çështjet e bujqësisë thotë se skema e grurit është e ngjashme me atë të naftës, me ndryshimin e vetëm që pjesa e dokumentave për kultivimin e grurit është shtyrë për në fazën e dytë, ndërkohë që për naftën nevojiteshin që në fazën fillestare të aplikimit.