Kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, ka mohuar akuzën publike të bërë nga Sali Berisha, për një takim të fshehtë mes tij, Lulzim Bashës dhe Erion Veliajt, në resortin e Gjergj Lucës në Elbasan.

“Kemi analizuar ecurinë e deritanishme të punës së grupit parlamentar, nuk e fsheh kënaqësinë që Kuvendi ka tejkaluar axhendat politike të palëve, dhe në mënyrë unanime u votua pro zgjatjes së afatit të mandatit për Komisionet e Vetingut.

Në fund fitoi Shqipëria, unë asnjëherë nuk i shmangem pyetjeve.

Nuk është e vërtetë që ka pasur takim… Mos ja vini më veshin Saliun se nuk i hyn më asnjë njeriu në punë”, tha Balla.

Berisha pretendoi dje, në një postim në rrjetet sociale, se disa netë më parë, se kreu i PD-së Basha ishte takuar me Veliajn dhe Ballën, por socialisti thotë se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë akuzë, dhe se ish-kryeministri nuk duhet të merret më si burim për lajme.