Fermerët e ullirit edhe pse kultivojnë një ndër kulturat më të kërkuara, janë në vështirësi dhe të pambështetur. Mungesa e infrastrukturës në parcela ka bërë që ata të mos kenë mundësi të zbresin prodhimin e tyre. Ndërsa edhe mungesa e krahut të punës ka bërë që shumë parcela të mbetën pa u vjelë.

Mungesa e politikave të mirëfillta në bujqësi kanë bërë që fermerët edhe pse janë përpjekur të mbjellin dhe të zgjerojnë prodhimin e tyre në fund hasin mjaft vështirësi që diskutojnë vetëm kostot e shpenzimeve pasi për përfitim është luks të mendohet.

Në një situatë të tillë janë fermerët që kultivojnë ullirin. Jugu i vendit është ndër zonat e famshme për ullirin dhe vajin e prodhuar prej tij. Edhe pse vite më parë institucionet shtetërore orientuan bujqit drejt mbjelljes së ullinjve kjo fushatë nuk u shoqërua me asnjë investim mbështetës.

Sot fermerët e ullirit në zona të ndryshme të jugut nga Kanina në Vlorë e deri në bashkinë e Memaliajt vuajnë për rrugë që të kenë mundësi të tërheqin prodhimin e tyre.

Shpopullimi është një tjetër problematikë e fermerëve të ullirit dhe në shumë zona kush nuk ka mundësime familjarët e tij, kanë lënë parcela të tëra me ullinj të pavjelur.

Edhe ata që kanë patur mundësi të vjelin plantacionet me ullinj dhe të prodhojnë vajin, deklarojnë se çmimi ka pësuar rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë dhe dyshojnë nëse fuqia blerëse e popullatës do ta përballojë këtë çmim.