Një godinë e re do të presë së shpejti të gjithë të arrestuarit dhe ndaluarit e komisariateve të Tiranës, deri para daljes në gjykatë, për t’u mësuar me masën e sigurisë. Nëse gjykata do të caktojë masë më të butë ata do të rikthehen në shtëpi, përndryshe sistemimi i tyre do të bëhet në paraburgimet “302” dhe 313”, në rastin e Tiranës.

Kjo godinë, investim i Policisë së Shtetit e emëruar “Blloku i Sigurisë” është drejt përfundimit dhe ndodhet ngjitur me burgun “302” në kryeqytet, në rrugën “Mine Peza”.

Burime nga policia thanë se pritet të ketë kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar fluksin e personave të arrestuar dhe ndaluar. Më kryesorja, kjo godinë, pritet t’i japë zgjidhje njëherë e mirë edhe problemeve të kushteve higjenike të komisariateve dhe mungesës së kapaciteteve. Do të jetë e survejuar me kamera sigurie dhe staf të veçantë. Nuk dihet akoma kur pritet të vihet në funksion, por gjithsesi, ky investim synon zgjidhjen e një problemi të trashëguar në vite dhe është drejt përfundimit.

Mbipopullimi në komisariate për personat e ndaluar dhe të arrestuar është problem prej vitesh i Policisë së Shtetit, i ngritur nga Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Këto kushte të vështira e bënë situatën edhe më tragjike mbrëmjen e 26 marsit, kur Arben Mici u vuri flakën qelisë duke u vetëflijuar në Komisariatin nr. 5 në Kamëz.

Jo vetëm mbipopullim, por edhe kushte të vështira higjeno-sanitare e mungesë shërbimesh, janë trashëguar ndër vite. Kulmi i një problemi të tillë u pa mbrëmjen e 26 marsit, ku u përfshinë nga flakët qelitë e Komisariatit nr. 5 në Kamëz, si pasojë e të cilit humbi jetën një person. Arben Mici, 26 vjeç, ishte mësuar me masën e sigurisë “arrest me burg” nga gjykata, por ishte rikthyer sërish aty.