Ujësjellës Kanalizime Shkodër ka reaguar pas helmimit të tre personave të Malësi të Madhe pas konsumimit të ujit në një lokal.

UKSH përmes një njoftimi në Facebook, bën me dije se nënë e bir dhe kamarieri, të cilët kanë përfunduar në spital, kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani, emrin e së cilës nuk kanë preferuar ta bëjnë të ditur.

Deklarata e plotë:

Ujësjellës Kanalizime Shkodër, në kuadër të transparencës dhe komunikimit me klientët e vet, sqaron opinionin publik lidhur me një lajm që është shpërndarë minutat e fundit:

Personat nënë e bir dhe një kamarier, janë intoksikuar pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani. Kjo konfirmohet edhe nga Prokuroria dhe AKU që bashkarisht po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

UK Shkodër siguron klientët për cilësinë e ujit, monitoruar periodikisht nga specialistë të Drejtorisë së Shendetit Publik Shkodër.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër.

Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.