Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku Kampionatin Europian U21 të vitit 2027. UEFA e miratoi zyrtarisht kandidaturën e përbashkët të dy vendeve në mbledhjen e mbajtur këtë të martë në Nion të Zvicrës.
Kjo kandidaturë ishte e vetmja në konkurrim pas tërheqjes së kandidaturës së përbashkët të Belgjikës dhe Turqisë. Kjo është hera e parë që vendi ynë merr përsipër organizimin e fazës finale të një Europiani për 21-vjeçarët, edhe pse do të jetë në bashkëpunim me Federatën Serbe. Rikujtojmë se kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë janë vendosur në një grup eliminator në Kupën e Botës, dhe fillimisht do të luhet në Beograd e më pas në Tiranë.
Ky turne, i cili do të zhvillohet në qershor të vitit 2027, do të përfshijë 16 skuadra që përfaqësojnë talentet më të spikatura të futbollit të moshave në Europë, mes tyre edhe lojtarë që tashmë aktivizohen në ligat më të mira të kontinentit. Si një nga vendet pritëse, Shqipëria do të ketë për herë të parë mundësinë që të përfaqësohet me brezin e saj të ri të futbollistëve U-21 në një turne madhor ndërkombëtar.
Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.
Ky stadium, me një kapacitet prej 22,000 spektatorësh, ka pritur finalen e UEFA Europa Conference League në vitin 2022. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 që do të zhvillohen në Shqipëri, do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.