Ulet me rreth 10 lekë çmimi i naftës në vend. Në pikat e tregtimit të karburanteve me pakicë një litër naftë aktualisht po shitet me 189 lekë nga rreth 200 lekë që ishte më parë. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në vend që prej muajit maj.
Ndërkohë që në muajin qershor të këtij viti u shfuqizua Bordi i monitorimit që përcaktonte çmimet tavan të karburanteve. Ky mekanizëm u ngrit në mars të vitit 2022 pasi çmimet e karburanteve në vend kapën nivele rekord për shkak të konfliktit Rusi –Ukrainë dhe qeveria e përdori për të mbajtur të stabilizuara çmimet në pikat e tregtimit me pakicë.
Ndërkohë që në tregjet ndërkombëtare çmimet e naftës u rritën më 1% të hënën të ndikuara nga eksportet e ulëta nga Rusia dhe sulmet ndaj anijeve të naftës në Detin e Kuq, duke rritur kështu shqetësimet për ndërprerje të furnizimit.
Kontratat feture të naftës Brent arritën në mbi 77 dollarë për fuçi. Ndërkohë, Rusia njoftoi se do të thellonte shkurtimet e eksportit të naftës në dhjetor me afërsish 50 mijë fuçi në ditë ose edhe më shumë.
Kjo vjen pasi Moska pezulloi dy të tretat e ngarkimeve të naftës së papërpunuar nga portet për shkak të një stuhie të premten. Ndërkohë, kompanitë e transportit të naftës thanë gjatë fundjavës se do të shmangnin Kanalin e Suezit pasi militantët Houthi në Jemen shtuan sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.