Gjykata e Lartë la në fuqi konsiderimin për t’i shpallur fajtorë dy oficerë policie të cilët ishin të pranishëm gjatë arrestimit të Ilir Xhakjas i cili qëlloi për vdekje shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.
Në vendimin që ju vendos në dispozicion Top Channel, kolegji penal thotë se dy oficerët F. H dhe K.SH shpërdoruan detyrën dhe nuk kryen asnjë veprim në momentin që u vra shefi i policisë duke mos reaguar për neutralizuar ngjarjen dhe autorin, duke lejuar që ai më pas të largohej nga vendngjarja.
Gazetarja Anila Hoxha raportoi se në vendimin e zbardhur që ju vendos në dispozicion TCH arsyetohet se përse dy oficerët konsiderohen fajtorë me mos veprimin që cilësohet si shpërdorim detyre
Kolegji ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, i ka gjetur fajtor të gjykuarit K. Sh dhe F. H, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i KP. Konkretisht, gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar se, të gjykuarit janë subjekte të posaçme, të cilët ushtrojnë një funksion publik pasi në kohën e kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen, kanë qenë me detyrë oficerë policie dhe veprën penale e kanë kryer pikërisht për shkak se kanë patur këto cilësi që i buronin nga detyra. Në lidhje me anën objektive të kësaj figure krimi, gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar se të dy të gjykuarit kanë konsumuar këtë vepër penale me mosveprim (pra me qëndrim pasiv), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës dhe në shkelje të ligjit funksional për policinë e shtetit.
Kjo për arsye se ndonëse kanë patur detyrimin të vepronin dhe të merrnin masa konkrete dhe ka ekzistuar mundësia reale për të vepruar (si persona me aftësi të posaçme për të vepruar në këto lloj situatash para kriminale) ata nuk kanë vepruar dhe si pasojë e këtij mosveprimi Ilir Xhakja ka kryer veprën penale tepër të rëndë në dëm të jetës së Shefit të Komisariatit. Sipas vlerësimit të gjykatës është provuar ardhja e pasojës që ligji kërkon dhe pikërisht cenimi i rëndë i rendit dhe sigurisë publike, besimit të qytetareve tek shteti, pasi subjekti i krimit në këtë rast ka qenë pikërisht një punonjës i policisë së shtetit, i cili që në marrjen përsipër të detyrës, ka pranuar të gjitha rrethanat faktike ku mund të ndodhet gjatë ushtrimit të saj, duke marrë përsipër detyrimin për të zbatuar ligjin e çdo rast në funksion të mbrojtjes në radhë të parë të jetës së çdo qytetari’ thuhet në vendim ku shtohet se prishet vendimi i apelit dhe lihet në fuqi ai i shkallës së parë që i ka konsideruar dy oficerët e policisë fajtorë
Si u vra kryekomisari
Në 13 shtator 2012, me urdhër të Shefit të Komisariatit të Policisë, forcat e policisë të Komisariatit të Policisë Shijak janë urdhëruar të kryejnë patrullime në qytetin Shijak dhe rrethinat e tij, deri tek Lapidari në Katundin e Ri. Fillimisht, në operacion janë përdorur tre automjete policie dhe pesë efektiva oficerë e policë, nën drejtimin e Shefit të Komisariatit. Automjetet kishin të shënuara në mënyrë të dukshme të gjitha mbishkrimet dhe shenjat e policisë, siç rezulton dhe nga tabelat fotografike në vendin e ngjarjes. Qëllimi i patrullimit ka qenë verifikimi i dokumentacionit dhe titullit të pronësisë së automjeteve me targa të huaja, pa targa dhe me xhama të errët që qarkullonin në zonë.
Në dosje përmendet se “Në automjetin tip Chevrolet me targë “Policia 2085” patrullonin Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak dhe punonjësi i policisë F. H, ndërsa patrulla e përgjithshme e policisë e përbërë nga punonjësit e policisë H. SH dhe K. Sh patrullonin me automjetin tip Chevrolet, me targë “Policia 2084”, dhe punonjësit e policisë V. XH dhe A. T patrullonin me një automjet tip fuoristradë, edhe ai me mbishkrimet dhe të gjitha shenjat dalluese të policisë. Automjetet lëviznin në njëshkolonë, njëri pas tjetrit.
Fillimisht, sipas planit të masave u patrullua në rrugën drejt fshatit Katund i Ri. Rrugës, në afërsi të shkollës së Sukthit, Shefi i Komisariatit urdhëroi kthimin prapa të automjetit tip fuoristradë së bashku me dy punonjësit e policisë, për të dhënë ndihmën e nevojshme pas njoftimit për rënien e një zjarri, siç rezulton nga deklarimet e personave që kanë patur dijeni për rrethana të ngjarjes.
Nga Lapidari në Katundin e Ri, patrulla është kthyer në drejtim të rrugës për Shijak me një mjet më pak në përbërje të saj. Pas disa verifikimesh rutinë në vendparkimin e Kompleksit “V. ”, është urdhëruar shoqërimi i një automjeti pa targa. Për shoqërimin e tij në Komisariat u ngarkua polici H. SH . Nga ky çast, patrullimi vazhdoi me dy automjete nën drejtimin e Shefit të Komisariatit, i shoqëruar vetëm nga oficeri K. G. dhe punonjësi i policisë F. H.
Në vijim të patrullimit është shoqëruar një automjet tjetër i tipit VW Golf pa targa, që i përkiste shtetasit Seid Gashi. Nga këtë çast, automjetet në patrullim rreshtohen si vijon: Autokolonën e printe automjeti me targë “Policia 2085”, i drejtuar nga punonjësi i policisë F. H , ku në sedilen e parë të tij ndodhej Shefi i Komisariatit. Pas tij vinte automjeti tip VW Golf, në kabinën e të cilit ndodheshin S. J. . g (babë e bir), kurse pas tij vinte automjeti me targë “Policia 2084” i drejtuar nga oficeri K. Sh. .
Në vendngjarje Shefi i Komisariatit ka urdhëruar shoferin F. H. të zhvendosej majtas, për t’i bllokuar rrugën një automjeti tip Opel, me ngjyrë të zezë, me targë të huaj GMLM 811, i cili po vinte në drejtim të kundërt me automjetet e policisë. Në kabinën e tij ndodhej vetëm një person, i cili është identifikuar më pas, si shtetasi Ledian Krasni 17 vjeç, banues në Katund Sukth. Drejtuesi i mjetit i është bindur urdhrit, duke ndaluar.
Shefi i Komisariatit dhe dy punonjësit që e shoqëronin kanë zbritur nga automjetet për të verifikuar rastin. Në këtë moment, është urdhëruar shoqërimi i automjetit për në Komisariatin e Policisë Shijak, pasi ka rezultuar pa dokumente regjistrimi sipas ligjit. Shtetasi Ledian Krasni nuk ka kundërshtuar dhe punonjësi i policisë F. H është urdhëruar të hipte në kabinë për të siguruar shoqërimin dhe drejtuesi ka filluar manovrën për kthimin e automjetit mbrapsht, me drejtimin për Shijak. Provohet se në këto momente është larguar nga vendngjarja edhe automjeti i shoqëruar VW Golf me lejen e drejtuesit të operacionit, për shkak të vështirësive që janë krijuar në ato çaste për qarkullimit e mjeteve në këtë segment rruge.
Teksa automjeti Opel sapo kishte përfunduar, apo ishte duke përfunduar manovrën, në vendngjarje është afruar një automjet Mercedes, tip Regina 320, i pajisur vetëm me një targë të huaj në pjesën e pasme, i cili ka ndaluar përbri automjeteve të policisë. Prej tij ka zbritur një person, i identifikuar më pas si shtetasi Ilir Xhakja, person me precedentë të shumtë kriminalë. Ky person menjëherë është drejtuar tek automjeti tip Opel, ka hapur derën e pasagjerit dhe ka nxjerrë përjashta me dhunë punonjësin e policisë F. H. , duke iu drejtuar me fjalët: “Ç’punë ke ti me nipin tim?” (provohet se shtetasi Ledion Krasni është nipi i Ilir Xhakjes). Punonjësi i policisë F. H është prezantuar dhe personi që ka sulmuar, në një moment i ka ndërprerë veprimet ndaj tij. Në këtë konflikt është përfshirë dhe Shefi i Komisariatit, i cili në ushtrim të detyrës, e ka pyetur personin kush ishte dhe çfarë kërkonte. Sipas dëshmisë së punonjësit të policisë F. H , Ilir Xhakja ka reaguar në mënyrë të dhunshme, duke u shprehur “Unë jam ai që të q… motrën” dhe ka nxjerrë pistoletën nga brezi. Në këtë moment, Shefi i Komisariatit ka bërë mbrapa, duke i bërë thirrje shtetasit Ilir Xhakja që të mos afrohej, kurse punonjësi i policisë F. H ka ndërhyrë, duke i dalë para autorit dhe duke bërtitur disa herë me zë të lartë: “Është Shefi i Komisariatit…!” Autori, duke shtyrë me trup punonjësin e policisë F. H , ka mundur që të vendosë dorën mbi supin e tij dhe ka qëlluar gjashtë herë rresht mbi trupin e Kryekomisarit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, për shkak të shokut traumatik-hemoragjik dhe më pas, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Është provuar se punonjësi i policisë F. H , megjithëse ka qenë në vendngjarje, ku siç provohet ka tentuar të qetësojë personin nën hetim Ilir Xhakja, gjatë debatit verbal që po zhvillohej mes këtij të fundit dhe Shefit të Komisariatit, nuk ka kryer asnjë veprim për të parandaluar ngjarjen, neutralizimin e autorit të ngjarjes dhe më pas, kapjen e këtij të fundit, duke lejuar me mosveprimet e tij që të ndodhë ngjarja dhe autorit t’i krijohej mundësia e largimit nga vendngjarja.Rezulton se disa metra larg, përballë autorit të ngjarjes Ilir Xhakja, para se ai të qëllonte, ndodhej dhe oficeri i policisë K. Sh , i cili në momentin kur është vrarë Shefi i Komisariatit Adem Tahiraj, nuk ka kryer asnjë veprim konform ligjit për të parandaluar ngjarjen, neutralizimin e autorit të ngjarjes, duke lejuar me mosveprimet e tij t’i jepet mundësia autorit Ilir Xhakja të kryente krimin e rëndë dhe më pas të largohej nga vendngjarja. Për këtë arsye ndaj dy oficerëve u ngritën akuza duke u dënuar nga shkalla e parë me shërbim prove.
Top Channel