Zyrtarisht Kosova ditën e sotme ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lajmin e ka bërë me dije shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi. Ai me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se Ministrja, njëherazi zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, ka dorëzuar aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës”, shkruan Jakupi.

 “Dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Europës. Sot hapëm një kapitull të ri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instancat të ndryshme të Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, Kosova është vendi më proeuropian në rajon dhe është vendi më optimist në rajon. Prandaj, Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Europës një ditë e më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshill të Europës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca europiane” tha Gërvalla pak më parë në një video-mesazh nga Strasburgu.

Mundësia për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës u hap me dëbimin e Rusisë nga kjo organizatë, pas luftës në Ukrainë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet në merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Kujtojmë se sa i përket Shqipërisë, kryeministri Edi Rama pak më parë tha se mbështet 100% Kosovën në çdo hap dhe përpjekje të saj.

“Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën” tha Rama.

Ndërsa ky aplikim nuk i ka pëlqyer aspak Aleksandër Vuçiç, i cili tha se Serbia do të marrë masa pasi është shkelur marrëveshja e Uashington.