Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me atë të Kukësit dhe Tiranës ka identifikuar dhe arrestuar 5 persona të tjerë që morën pjesën në grabitjen e parave dhe sendeve personale të 11 refugjatëve të huaj në Gjirokastër.

Të arrestuarit janë S. M. 21 vjeç,  N. M. 21 vjeç, A. Th. 17 vjeç, E. Sh. 20 vjeçe, banues në Tiranë dhe E. B., 26 vjeçe, banuese në Tropojë. Kujtojmë se personi i gjashtë u arrestua pak orë pas ngjarjes më datë 22 Maj.

Dy prej tyre u kapën në mbikalimin e Bardhocit në Kukës, duke transportuar 4 emigrantë në drejtim të Kosovës. Ndjekja e tyre nga shërbimet e policisë zgjati 1 orë dhe një video amatore u publikua më 24 Maj në rrjetet sociale, ku shfaqej makina e policisë duke qarkulluar në sens të kundërt në Rrugën e Kombit, sepse ishte në ndjekje të automjetit që transportonte emigrantët.   

Dy të tjerë u kapën në Kamzë. Njëri prej tyre, në banesë iu gjet një pistoletë lodër metalike, 5 celularë dhe një shumë parash. Këta persona morën 11 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe u premtuan se do t’i transportonin nga Gjirokastra në Tiranë.

Por në afërsi të fshatit Mashkullorë në Gjirokastër, i nxorrën nga makinat dhe ju vodhën paratë dhe sendet personale.

Ata akuzohen për “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.