Barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e sotëm.

Më 27 dhjetor, pika kufitare në Merdare u mbyll nga Policia e Kosovës pasi një grup serbësh në Serbi kishin bllokuar rrugën për në kufi.

Për të enjten është paralajmëruar edhe largimi i barrikadave nga rrugët e pjesës veriore të Kosovës.Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Presidenti serb tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë garantuar se asnjë nga serbët që vendosën bllokadat, nuk do të ndiqet penalisht.

Paraditen e së enjtes rrugët ne veri ende janë të bllokuara ndërsa në njërën nga bllokadat, dy kamionë u dogjën në rrethana të pasqaruara.

Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.

Pantiç u lirua dje nga paraburgimi pasi iu zëvendësua masa me atë të arrestit shtëpiak.

Në një protestë që u zhvillua në fshatin Rudarë të Zveçanit, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vendosën edhe kushte të tjera për heqjen e barrikadave përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Heqja e bllokadave pritet të ulë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila në fillim të javës vuri në “gjendje të plotë gatishmërie ushtarake” forcat e saj të sigurisë, duke thënë se Kosova e ka bërë të njëjtën gjë.

Autoritete në Kosovës mohuan njoftimet e tilla duke i cilësuar ato pjesë të propagandës serbo-ruse që synojnë destabilizimin e Kosovës.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i që të lëvizin dhe stërviten në territorin e tyre, por duhet të kërkojnë leje për të afruar më shumë se një mijë metra nga kufiri me Kosovën. Ndërsa, Forca e Sigurisë së Kosovës, mund të vendoset në veriun e Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

Top Channel