Dorian Duçka, ish zëvendësministër për energjitikën tetë vite para dhe më pas konsulent i pavarur për Qeverinë e kryeministrit Rama, me pasaportë diplomatike në xhep, nuk ka mbushur 40 vjeç dhe për 10 vjet ka luajtur “spiunazh” në 4 kontinente, Azi (në Kinë), Dubai (ku ka rezidencën në Emiratet e Bashkuara Arabe), në Evropë (Shqipëri, Zvicër, Austri, Kosove, Maqedoni), Amerikë (në Delaware, Washington, New York).
I diplomuar në të vetmin universitet turk (EMU) në Famagusta të Qipros veriore, Duçka u stërvit mirë nga ata që e dërguan atje dhe në moshën 25 vjeçare, e hodhën në tregun shqiptar për t’u sprovuar në situata të vështira “biznesi”.
Si fillim, ai për 6 vite me radhë u caktua koordinator i projektit të gazsjellësit “TAP” në Ministrinë e Ekonomisë.
Pas moshës 30 vjeçare Duçka u “thith” si aset me vlera, ku u fut nëpër afera me shtrirje influence nga lindja e largët në perëndim. Më pas, Duçka ngriti disa biznese edhe në Shqipëri ku u mbështet vetëm në një rreth të ngushtë familjar me tre persona, bashkëshortja Xhoana Lilaj, vëllai i saj Elton Lilaj dhe bashkëshortja e tij Blerina Lilaj. Të tre administruan dhe mbuluan aktivitetin e tre kompanive, dy prej tyre biznese armësh dhe një OJF-je që shërbente si guackë projektesh për aferat e Duçkës dhe partnerëve të tij jashtë Shqipërisë.
Sipas dokumentit të akuzës amerikane, “Gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar dhe me Personin B [Dorian Duçka].
Me kërkesë të Personit A [Agron Neza] ai i bëri thirrje kryeministrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte licenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë. Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një pajisje teknike të FBI-së në prani të personit B”.
Në 12 shtator 2017, vetëm dy ditë pasi Duçka, Neza dhe McGonigal takuan në Tiranë kryeministrin Rama, u regjistrua në QKB kompania “Alpha Strategy Consulting” me Nipt L72112036Q. Ortakët Xhoana Lilaj dhe Dorjan Duçka, krijuan kompaninë që ofronte “konsulencë dhe asistencë për projektet ndërkombëtare, në çdo lloj biznesi që shoqëritë vendase dhe të huaja janë të interesuara të ndërmarrin në Shqipëri ose jashtë saj, biznese për shfrytëzimin e pasurive, nëntokësore dhe mbitokësore”.
Xhoana Lilaj në të njëjtën kohë u emërua nga qeveria në një post kyç tek AKEP, si drejtoreshë dhe anëtare e Këshillit Drejtues të kësaj Agjencie. Bashkëshortja e Duçkës, prej disa vitesh mban këtë pozicion kontrolli mbi të gjitha aktivitetet e komunikimeve elektronike në Shqipëri, përfshirë masmedian elektronike (portalet), informacione që i duhen Duçkës dhe partnerëve të tij të biznesit, pse jo të spiunazhit.
Si krijoi Duçka dy kompani për shitje armësh me një arab dhe një rus?
“Spiuni” Duçka qëndron pas dy kompanive të tregtimit të armëve, duke vendosur si administrator kunatin e tij, Elton Lilaj. Duçka u kujdes të krijohet përshtypja se dy kompanitë kanë një origjinë kapitali perëndimor, nga Belgjika dhe Franca.
“Sparta International” me Nipt M21502057R u regjistrua në 1 Mars 2022 në QKB, me ortakë: (1) “francezin” arab Adel-Henry Nuseibeh – 40%, (2) “belgun” lindur në Khimki të Rusisë Denis Valerievitch Kozlov – 40%, (3) Elton Lilaj dhe Zamira Qato me nga 10%.
Kompani e krijuar me qëllim aktiviteti “Importi, eksporti i të gjitha mallrave të destinuara për qëllime ushtarake, duke përfshirë municionet dhe të gjitha llojet e armatimeve”.
Tre ditë më pas, në 4 Mars 2022 u krijua kompania “Apollo Defense International” me Nipt M21508012C, regjistruar në QKB me ortak 80% “francezin” arab Adel-Henry Nuseibeh, 10 % Elton Lilaj, 10% Zamira Qato.
Pse duheshin krijuar dy kompani “armësh” për tre ditë?
Sipas kategorizimit të ligjit për armët, Duçkës me dy kompanitë që krijoi iu dha e drejta të tregtonte për Shqipërinë dhe jashtë saj armët e tipit B1, që janë armët e shkurtra të zjarrit gjysmautomatike apo vetërimbushëse, B4 që janë armët e zjarrit të gjata gjysmautomatike, me gushë ose fole për fishekë, që mund të mbajnë më tepër se tre fishekë dhe gjithë kategoritë C, që janë armët e zjarrit të gjata me përsëritje, me një gjuajtje me tytë të vjaskuar, të gjata gjysmautomatike, armët pneumatike me energji të predhës deri në 7,5 J dhe kalibër deri 4,5 mm (C6), armët e zjarrit për sinjalizim me dritë dhe me zë.
Të gjitha eksportimet e armëve licencohen nga një agjensi në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, AKSHE- Agjencia e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, ku prej vitesh drejtor aty është kushëriri i parë i Fidel Yllit, E. Bekteshi.
Për hesap të kujt do të tregtonin armë “Arabi” Adel-Henry Nuseibeh, “Rusi” Denis Valerievitch Kozlov dhe “Kunati” shqiptar Elton Lilaj me kompanitë “Sparta International” dhe “Apollo Defense International”?
Duçkës i duhej edhe një OJF për të mbuluar projektet dhe aferat. Qendra SMEK “Për zhvillimin social, mjedisor, ekonomik dhe kulturor” u krijua nga Elton Lilaj për këtë qëllim. SMEK është një nga 57 OJF-të e regjistruara në Shqipëri. Kjo OJF funksionon me ndihmën e bashkëshortes së një prokurori të njohur të Prokurorisë së Përgjithshme dhe është një mburojë e mirë për aferat e “spiunit” Duçka.
Akuza amerikane ka zbuluar të vërteta rreth aktivitetit të bizneseve të Duçkës dhe bashkëpunëtorëve të tij nëpër botë. Akt-padia kundër ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal do ketë plot të dhëna për Dorjan Duçkën, nëse ai është “spiun” kinez, arab, evropian apo amerikan./Pamfleti