Të tjera detaje kanë dalë sot në lidhje me arrestimin e ish zyrtares së Kryeministrisë Alda Klosi.
Ish-zyrtarja e kryeministrisë u arrestua dje në mbrëmje me një urdhër ndalimi nga prokuroria pas një dëshmie të gjatë nga pastruesja Rozeta Dobi.
Gjatë dëshmisë së saj Dobi është shprehur se gjatë kohës që punonte si pastruese ka parë shumë para në atë banesë.
“Kam parë shumë para, kam pastruar shumë shtëpi. I shikoja shpesh nëpër kuti, mi la t’i fshihja”, mësohet të ketë thënë ajo.
Ish zyrtarja Alda Klosi, në banesën e së cilës dyshohet se u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë rezulton të ketë dhënë dy deklarime të ndryshme në polici mbi paratë që ajo kishte në shtëpi.
Më 15 dhjetor, ditën kur ka ndodhur vjedhja e denoncuar në polici, zonja Klosi ka deklaruar se nuk kishte patur sasi të mëdha parash. Sipas proceverbalit të deklarimit të saj, Klosi është shprehur se përveç bizhuterive, nga kontrolli paraprak ka konstatuar se i mungonte edhe një sasi parash për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.
Ndërsa, pas arrestimit të Rozeta Dobit, e cila punonte si pastruese tek banesa e ish zyrtares, në një deklarim të dytë, zonja Klosi është shprehur se “gjatë kësaj kohe ka menduar me qetësi për sendet që ka patur dhe se ditën e ngjarjes i janë vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120 mijë euro, si dhe një shumë prej 30 mijë dollarësh”, të cilat ajo ka shpjeguar se ia kishte lënë xhaxhai.