Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar sot pranë gjimnazit në Laç. I plagosur në këmbë  ka mbetur një 15-vjeçari L.Rr, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë policia ka identifikuar edhe autorin, një 17-vjeçar. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.

Njoftimi i policisë:

Kurbin/ Informacion paraprak

Rreth orës 12:20, në lagjen nr.4 në Laç, jashtë rrethimit  të gjimnazit, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi i mitur L. Rr. 15 vjeç, nxënës në gjimnaz, banues në Kurbin, i cili është transportuar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë me marrjen e njoftimit, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore, kanë identifikuar autorin e dyshuar shtetasin A.Gj. 17 vjeç, gjithashtu nxënës i gjimnazit.

Shërbimet e Policisë po vijojnë  kontrollet me qëllim lokalizimin e kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit, njëkohësisht vazhdon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.