Një automjet i blinduar tip Jeep Cherokee me targa greke BOO – 9195 është mes automjeteve që policia e Sarandës ka sekuestruar gjatë kontrolleve për mbledhjen e provave lidhur me zhdukjen e mistershme të 46 vjecarëve Leonard Thodhori e Fatmir Sulovari.
Fuoristrada e zezë dhe me xhama të zinj është zbuluar në një plantacion manderinash në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol. Ndërkaq detaje të reja janë mësuar edhe për mjetin e dytë të sekuestruar nga policia në një karburant në Qafë Gjashtë. Fuoristrada “Land Rover” Discovery me targa greke e marrë nga operacionalja me karoatrec, sipas burimeve konfidenciale, lëvizte në qytetin e Sarandës dhe përvec xhamave të zinj, kishte të instaluara brenda saj fenelina si të policisë, edhe pse këto nuk u gjetën në momentin e sekuestrimit.
Sa i përket mjetit “Mercedes-Benz” që ka kryer rrëmbimin, ai rezulton mjeti që ka transportuar autorët e vendosjes së eksplozivit në 5 dhjetor 2022 në banesën e shtetasit Lefter Lefteri alias Afëz Kulla në Sarandë. Policia e ndoqi me kamera sigurie këtë mjet deri në dalje të fshatit Gjashtë, ku mjeti mori drejtimin për në Nivicë, aty edhe ku u gjet, konkretisht në nje garazh pa dryn të marrë me qera nga shtetas me banim në Sarandë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet kanë ecur me ritme të shpeja orët e fundit por ende nuk jemi afër nxjerrjes së urdhër arresteve. Kërkimet e sotme të RENEA dhe FNSH janë zhvilluar si nga deti ashtu edhe nga toka, por sërish kanë rezultuar pa sukses duke bërë që të hyjmë në ditën e 20 të zhdukjes pa gjurmë të “Koçoles” e Sulovarit ose Krasniqit.