Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 20-vjeçar pasi tentoi të trafikonte në vendin tonë kanabis në formë çokollate. Endri Bushati ka rënë në pranga pas një kontrolli nga “blutë” e Durrësit (me peshë totale rreth 450 g) në automjeti që drejtonte i riu.
Njoftimi i policisë:
Tentoi të trafikonte drejt vendit tonë, 2 pako me lëndë narkotike kanabis në formë çokollate, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën pakot me lëndë narkotike (me peshë totale rreth 450 g) në automjetin që drejtonte ky shtetas.
Sasia e kanabisit në formë çokollate u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj krimeve kufitare dhe trafiqeve të paligjshme, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës dhe me autoritetet doganore, kanë goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në vijën e dytë, në hyrje të RSh-së, në automjetin tip “Seat”, që drejtohej nga shtetasi E. B., shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako me lëndë narkotike kanabis në formë çokollate, me peshë totale rreth 450 g.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 20 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.