Një 37-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi hidhte në treg vazhdimisht nëpër subjekte të ndryshme tregtare, kartëmonedha të prerjes 100 dollarë.

Shtetasi Fatlind Ahmetaj, ka qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe për mashtrim. Ndërkohë janë sekuestruar kartëmonedha të prerjes 100 dollarë, të dyshuara të falsifikuara.

Njoftimi i policise:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dollars”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3.

Hodhi në treg kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, vihet në pranga 37-vjeçari.

I arrestuari, i dënuar më parë për vjedhje dhe për mashtrim.

Sekuestrohen kartëmonedha të prerjes 100 dollarë, të dyshuara të falsifikuara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, nisur nga disa kallëzime për një shtetas që hidhte në qarkullim nëpër subjekte të ndryshme tregtare, kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, pas një punë te mirëfilltë hetimore disajavore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Dollars”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit F. A., 37 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mashtrimi”.

Ky shtetas dyshohet se ka hedhur vazhdimisht në qarkullim, nëpër subjekte të ndryshme tregtare, në Tiranë, kartëmonedha të prerjes 100 dollarë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kartëmonedha të prerjes 100 dollarë, të dyshuara të falsifikuara.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.