YouTube ka vendosur të ndalojë të gjithë përdoruesit që deri më tani përdornin një adblocker për t’iu shpëtuar reklamave.
“Fikni adblocker-in tuaj ose abonohuni në YouTube Premium.” Ky është mesazhi që platforma ka nisur të shfaqë para disa përdoruesve të adblocker, duke i treguar se ata nuk do të jenë në gjendje që të shikojnë videon nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë.
Sigurisht që për momentin ky veprim është ende në fazën e testimit në disa vende të caktuara, duke bërë kështu që reklamuesit të marrin një shikueshmëri sa më të madhe të mundshme. Alphabet, kompania mëmë e YouTube raportoi se ky është viti i tretë rradhazi që vihet re një rënie e fitimeve në biznesin e reklamimit, gjë që duket se ka nxitur marrjen e masave.
Për herë të parë ndalimi i përdorimit të adblocker u vu re nga një person i cili publikoi në Reddit screenshot-in e një pop-up që thotë se “Ad blockers nuk lejohet të përdoren në YouTube.”
Përdoruesit e YouTube kanë mundësinë që të shikojnë video pa reklama duke u abonuar në planin mujor YouTube Premium, që kushton $11.99. Në të njejtën kohë përmes këtij abonimi ju fitoni dhe mundësinë që të luani video në background, të shkarkoni video si dhe të fitoni akses në YouTube Music.