Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe kreun e delegacionit të BE-së në Beograd këtë të martë. Pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe ministri i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç dhe Gjenerali i Forcave të Armatosura, Milan Mojsiloviç.
Mediat serbe raportojnë se Vuçiç ka theksuar se veprimet e njëanshme të Prishtinës kanë sjellë dhunën kundër komunitetit serb.
“Tërheqja e menjëhershme e kryetarëve të rremë dhe anëtarëve të ashtuquajtur të policisë speciale të Prishtinës është kusht për të ruajtur paqen në Kosovë”, tha Vuçiç.
Kujtojmë që tek vendet e QUINT-it bëjnë pjesë SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania. Por siç raportojnë mediat, gjatë ditës Vuçiç do të takohet edhe me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd.
Ndërkohë një ditë më parë, Presidenti serb akuzoi Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës se synon të shkaktojë konflikt për të krijuar një konflikt me serbëve dhe NATO-s dhe për të çuar në gjakderdhje të gjithë rajonin.
Ai fajësoi Kurtin për situatën që po ndodh në veri të Kosovës.
Tensionet në veri u rritën që më 26 maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të instaluar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të Prillit. Kjo kundërshtohet nga serbët./tvklan.al