Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se as kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe as ai i Kosovës, Albin Kurti nuk kanë të drejtë të bëjnë një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Gjatë një interviste për Reuters, lideri serb ripërsëriti se të drejtën e propozimit të këtij statuti e ka vetëm ekipit menaxhues, për të cilin është rënë dakord më herët, i përbërë nga serbët.

“Kur dëgjoni që Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, se Rama ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, që disa OJQ kanë propozimin e tyre për Asociacionin e komunave serbe, asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë propozime. Ai propozim duhet të bëhet nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”, tha Vuçiç.

Një ditë më parë, kryeministri Rama deklaroi para gazetarëve se ka përgatitur një draft statut për Asociacionin të cilin ia kishte dërguar presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz.

“Ne jemi të gatshëm për kompromis, thjesht po ju kërkoj që të largoni kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat e komunës, le të japin dorëheqje. Jemi të gatshëm për kompromise, por edhe të fillojë formimi i Asociacionit”, tha Vuçiç.

Më tej, presidenti i Serbisë dha detaje për takimet e fundit që ai pati me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Lajçak dhe atë të SHBA-së, Escobar.

“Kam pasur një bisedë jo aq të lehtë me Miroslav Lajçakun, me disa përfaqësues amerikanë dhe me një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së. Situata po komplikohet dhe më shqetëson shumë. Nuk mendoj se duhet të them se cilat shtete janë.

Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Duhet t’i kuptojmë, ata nuk duan luftë, konflikt. Neve na takon të ruajmë paqen, interesat e popullit tonë, që kombi ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të flasësh as me serbët nga Kosova”, tha Vuçiç.