Forca të shumta policore po ushtrojnë kontrolle në Tapizë dhe në Nikël të Krujës. Aksioni vjen pak ditë pas vrasjes në Larushk ku mbeti viktimë Ramazan Sino, kunati i Gentjan Bejtjas dhe u plagosën dy fëmijët e mitur të këtij të fundit.
Për ngjarjen u arrestua 2 ditë më parë Valter Bami, pasi në dorën e majtë të tij u gjetën mbetje baruti.
Raportohet se më shumë se 100 efektivë kanë rrethuar zonat që prej orës 5 të mëngjesit të sotëm dhe po kontrollohen banesa e biznese ku dyshohet se mund të fshihen kontigjent kriminal.
Ndërkohë një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Krujë, ku dy kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja, u dhunuan barbarisht nga anëtarë të fisit Rraja.
Dy kushërinjtë ishin ankuar se gurorja në pronësi të kushëririt të deputetit Rrahman Rraja po u dëmtonte banesat.