KLP ka pezulluar nga detyra drejtuesin e prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, pasi u arrestua në kuadër të operacionit Metamorfoza, si pjesë e një grupi kriminal.
Në vendin e Litës në krye të prokurorisë së Kukësit është caktuar prokurorja Enkeleda Hoxha.
Lita ra në pranga javën e kaluar pasi dyshohet se ka mbyllur disa dosje penale në ngarkim të grupit Bajri në Shkodër.
Njoftimi i KLP:
Sot më datë 31.07.2023 Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u thirr në mbledhje urgjente nga Kryetari i Këshillit, zoti Balla.
Dy vendimet që u morën sot janë:
- Pezullimi nga detyra e prokurorit Xhevahir Lita, drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
- Hapja e garës për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri, kjo zyrë Prokurorie do të drejtohet nga Zv/ Drejtuesja, Enkeleda Hoxha.