Nadir Gjata, është 63-vjeçari që ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës. Në orët e para të mëngjesit burime bënë me dije për ngjarjen dhe dyshimet e familjarëve rreth asaj që ka ndodhur.
I ndjeri ishte pronar i një agjencie biletarie pranë portit të Vlorës.
Sipas informacioneve zyrtare, ai është aksidentuar me një taksi të parkuar dhe si pasojë e dëmtimeve nuk ka mundur të mbijetojë.
Trupi i tij është dërguar në morg, ku po kryhet dhe ekspertiza mjekoligjore dhe deri më tani nuk është konstatuar ndonjë shenjë dhune.
Dyshimet e familjarëve ngrihen mbi faktin që viktimës i mungonte çanta e tij.
Njoftimi i Policisë: Vlorë/Informacion paraprak
Më datë 21.08.2023, rreth orës 04:00, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në afërsi të vendit të quajtur “Kapelja”, shtetasi N. GJ., 63 vjeç, banues në Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Ford Fiesta”, për pasojë automjeti i tij ka përplasur një automjet të parkuar (taksi), i cili gjatë zhvendosjes ka përplasur 2 automjete të tjera të parkuara.
Paraprakisht, dyshohet se 63-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, për shkaqe shëndetësore, më pas automjeti i tij është përplasur me automjetin taksi dhe për pasojë ky shtetas ka humbur jetën.
Trupi i pajetë u transportua në morg, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës. Nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe po bashkëpunohet me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 63-vjeçarit.