Policia Tiranë ka arrestuar në flagrancë një 44-vjeçar, banues në Vlorë, pasi iu gjet pistoletë, kokainë dhe euro në makinë.
Gjatë operacionit, në Rrugën e Barrikadave, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin N. B. Gjatë kontrollit fizik, atij i janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje, me krehër dhe municion luftarak, një mjet identifikimi i dyshuar i falsifikuar, 6230 euro, si dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore për një shtetas që lëvizte i armatosur në Rrugën e Barrikadave, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Walker””, thuhet në njoftim.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi N. B., 44 vjeç, banues në Vlorë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.