I ngarkuari me punë, Luigi Soreca është takuar, ditën e sotme, me delegacionin e Bashkimit Europian dhe ka nisur menjëherë nga puna, deri në mbërritjen e ambasadorit të ri. Rikthimin në Tiranë, Soreca e ka cilësuar si një privilegj, nisur nga fakti që për Shqipërinë është një moment mjaft i rëndësishëm në rrugën e saj drejt familjes europiane.
“Është një nder dhe një privilegj të jem përsëri në Tiranë në këtë moment veçanërisht të rëndësishëm për zgjerimin e BE-së dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, dhe në të njëjtën kohë me Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit në Tiranë. BE-ja qëndron krah Shqipërisë për të konsoliduar progresin e arritur, thellimin e transformimit të vendit dhe shtyrjen për reforma të rëndësishme që do ta sjellin Shqipërinë në BE”, tha ambasadori.