Policia e Malit të Zi sekuestroi 300 kg kanabis në pikën kufitare, në një kamion tip “Renault”.
Mjeti drejtohej nga dy shqiptarë bab e bir, I.O dhe K.O, banues në Durrës.
Sasia e lëndës narkotike kishte destinacion Austrinë dhe hyri në shtetin fqinj nga Shqipëria. Droga ishte fshehur në dërrasat dhe paletat me të cilat ishte ngarkuar kamioni.
Policia shqiptare në bashkëpunim me atë malazeze dhe me Prokurorinë po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit
Bashkëpunim i ngushtë me partnerët, për hetimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike.
Strukturat për Hetimin e Narkotikëve, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shteti, në bashkëpunim me policinë Malazeze janë duke hetuar një rast të trafikimit të një sasie rreth 300 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi.
Policitë e dy vendeve, kanë intensifikuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, është bllokuar një kamion tip “Renault”, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës.
Gjatë kontrollit në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe me paleta, që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të detajuar, kanë gjetur një sasi rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me autoritetet policore dhe ato doganore malazeze, po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore, për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.