34-vjeçarit Eris Skënderi, i dënuar me 6 vite burg për prodhim dhe shitje droge i është sekuestruar pasuria, që kap vlerën e 1 milion eurove.
34-vjeçarit i është sekuestruar një objekt banimi, një objekt shërbimi, 2 automjete dhe një motomjet. Sakaq vijon puna për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Njoftimi i policise:
DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Aseti”.
Sekuestrohen pasuri me vlerë rreth 1 milion euro, të dyshuara të përfituara nga aktiviteti kriminal i një 34-vjeçari të dënuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Në kuadër të një procedimi për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Aseti”, si rezultat i të cilit është ekzekutuar vendimi i datës 24.09.2023, i i Gjykatës së Elbasanit, e cila ka vendosur sekuestrimin e 5 pasurive të shtetasit:
Eris Skënderi, 34 vjeç, banues në Cërrik, i dënuar nga Gjykata e Elbasanit, me 6 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, është bërë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 1 milion euro, konkretisht:
-një objekt banimi me sipërfaqe 62 m2;
-një objekt shërbimi me sipërfaqe 73 m2 , në Cërrik;
-2 automjete dhe 1 motomjet.
Vijon puna për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.