Është zbuluar një magazinë në Tiranë, ku mbaheshin qindra koli me fishekzjarrë të futura kontrabandë në vendin tonë.

Kjo magazinë ndodhet në rrugën “5 Maji”, ndërkohë që fishekzjarrët priteshin të shiteshin gjatë festave të fundivitit.

Në pranga janë vënë dy të rinj; Irdi Kaca, 22 vjeç dhe Ersion Skënderi, 20 vjeç, të cilët kanë qenë administratorë të kësaj magazine.

Në magazinë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 391 koli me mijëra fishekzjarrë të kalibrave të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, kryer në bashkëpunim.