Megjithëse GJKKO shtyu seancën për Berishën dje që avokatët të dorëzojnë kërkese për përjashtimin e gjyqtares, deri në këto momente avokatët nuk kanë dorëzuar ende kërkesë.
Pas tre seancash ku u dëgjuan të gjithë, SPAK që kërkon arrest shtëpiak dhe avokatët që kërkojnë refuzim të prokurorisë, gjykata nuk mundi të shpallë një vendim ndaj ish-kryeministrit as dje, duke e shtyrë për ditën e nesërme.
Zyra e shtypit njoftoi se vendimi që duhej dhënë të enjten do të shpallet në 30 dhjetor ora 12 që besohet se do të jetë dita, kur do të merret një vendim final për kërkesën e SPAK-ut.
Avokatët kërkuan sërish dje përjashtimin e Irena Gjokës nga çështja që duhej dorëzuar me shkresa dhe jo verbalisht.
“Kërkesa për përjashtimin e gjyqtares ka një afat prej tre ditësh. Sot kemi marrë provat në sekretari, gjykata e shtyu për të shtunën shpalljen e vendimit. Akoma sot kemi marrë provat. Me provat që mbështesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Atëherë janë ato prova që provojnë një anshmëri të gjyqtares. Dje thatë, hetimi është sekret, un i qëndroj ligjit”, tha dje avokati Gjokutaj.
Parlamenti e dha një javë më parë autorizimin. Ndërkohë qe mbrojtja pasi dëgjoi SPAK-un duket se po luan me njërën nga kartat, që është koha. Megjithatë ky moment është ndryshe mbasi gjykata nuk është e kushtëzuar nga afati pesë ditor ku gjendej në fillim, atëherë kur kërkoi të pyetej Berisha mbasi kishte vendosur detyrim paraqitje në mungesë. Sidoqoftë SPAK-u ka thënë fjalën, arrest shtëpiak në adresën e deklaruar, që do të thotë mbikëqyrje policore dhe ndalim për të komunikuar me të tjerë përpos familjes.
“Përshëndetje të nderuar! Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka! Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin” njofton zyra e shtypit e GJKKO.