Pas 5 vitesh në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Bledi Gonxhe fiton një karrige ministrore. Edi Rama ka vendosur të krijojë një ministri të re ku të bashkohen fushat e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.” shkruan Rama.
Në këtë mënyrë, ikën nga qeveria, Elva Margariti, e cila ishte ministre e kulturës që nga viti 2019.
“Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane.”- vijon Rama.
Ky ndryshim në qeveri përgjysmon edhe përgjegjësinë e Ervin Metes, vetëm 6 muaj pasi ishte bërë ministër. Atij tani i ngelin vetëm Financat, pasi Ekonomia bashkohet me Kulturën, ku shtohet edhe Inovacioni.