Një ngjarje e pazakonte është regjistruar në Uzinën e Ferrokromit Burrel e cila tashmë administrohet nga kompania turke “Yildirim”. Drejtori i kësaj uzine Ervin Isaj është dënuar nga Gjykata e Matit pasi ka ushtruar dhunë ndaj punonjësit Hamit Metra. Ky i fundit e ka paditur drejtorin për dhunë pasi e ka kapur për fyti vetëm pse kishte shkuar të pijë ujë. Hamiti shprehet për News 24 se për këtë i është drejtuar gjykatës së Matit në vitin 2022 dhe Gjykata ka vendosur në favor të tij duke e dënuar drejtorin nën akuzën e “Dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal. Metra shprehet se çështja vazhdon në apel, ndërsa shton se ndaj drejtorit nuk është marrë asnjë masë disiplinore nga kompania.
Ndërkohë Drejtori Ervin Isaj shantazhon edhe punonjësit e tjerë të cilët dolën dëshmitar ndaj dhunës së ushtruar ndaj Metrës. Albert Patushi denoncon se nga Drejtori Isaj, po ushtrohet presion në forma të ndryshme ndaj 9 punonjësve të tjerë të cilët mbrojtën kolegun e tyre në gjykatë. Patushi kërkon që ndaj Isajt të merren masa nga kompania, dhe të reagojnë sindikatat ku aderojnë punëtorët e Uzinës së Ferrokromit.Nga ana tjetër punonjësit e Uzinës thonë se nuk do të ndalen deri sa të marrin të drejtat e tyre dhe drejtori të mbajë përgjegjësi për veprimet e kryera në kundërshtim me kodin e punës./balkanweb.com