Vetëdorëzohet në Komisariatin e Policisë ish-drejtori i ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati.
47-vjeçari ishte në kërkim me urdhër-ndalimi të Prokurorisë së Sarandës, prej 13 marsit. Ndaj Muratit rëndojnë dy akuza: “ndërtim i paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentash”. Murati akuzohet për ndërtimin e paligjshëm dhe falsifikimin e dokumentave inxhinierikë të hotelit të tij 7-katësh në lagjen nr.4 Sarandë.
Bashkë me Mariel Muratin akuzohen edhe 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ASHK, Bashkisë Sarandë dhe IKMT.
Dy prej tyre janë në masë “arrest në shtëpi”, 2 në masë “detyrim paraqitje” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, 4 në masë “detyrim paraqitje” dhe 1 ende në kërkim.