Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, nëpërmjet së cilës shtetasi S. D. pretendon se është përplasur nga një automjet dhe se Policia nuk ka kryer veprimet procedurale për këtë rast, ju sqarojmë se:
Rreth orës 20:55, të datës 17.04.2024, është marrë njoftim se në spitalin e Gramshit ka shkuar shtetasi S. D., i cili pretendonte se ishte përplasur nga një automjet. Në zbatim të procedurës standarde të punës, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në spital, për të sqaruar rrethanat e rastit.
Nga verifikimet dhe komunikimi me mjekun që kishte ndjekur shtetasin S. D., rezultoi se shtetasi S. D. nuk kishte asnjë dëmtim në trup, vuante nga probleme të shëndetit mendor (i kartelizuar) dhe se e kishte ngritur këtë pretendim, në gjendje të dehur dhe të rënduar psikologjike për shkak të moskonsumimit të ilaçeve të rekomanduara nga mjeku.
Ndërkaq, nisur nga pamjet, ka filluar ecuria disiplinore për punonjësin e Policisë inspektor M. M., për shkelje të pikës 5 të nenit 200 të rregullores së Policisë së Shtetit, konkretisht: “Punonjësi i Policisë flet me zë të lartë apo komunikon në mënyrë jo etike”.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan falënderon median dhe qytetarët për denoncimin e paligjshmërive dhe i fton ata që të vijojnë të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.