Sot, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë pritet të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetit socialist, Vullnet Sinaj.
Pas kërkesës së bërë nga grupi parlamentar i PD-së, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka thirrur mbledhjen e Këshillit për të trajtuar këtë çështje.
Opozita e akuzon Sinajn se ka përfituar miliona lekë nga fondet publike përmes kompanive të tij, duke shkelur Kushtetutën, e cila ndalon deputetët të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit. Mocioni i firmosur nga 14 deputetë opozitarë përfshin 30 prova që, sipas tyre, vërtetojnë se Sinaj ka përfituar nga fondet publike në kundërshtim me nenin 70 të Kushtetutës.
Në bazë të akuzave, PD-ja pretendon se, edhe pse Sinaj ka transferuar aksionet te persona të tjerë, ai nuk ka hequr dorë nga pronësia e plotë dhe fitimet e kompanive të tij. Ata theksojnë se këto përfitime janë të dokumentuara në deklaratat e pasurisë së deputetit.
Nga ana tjetër, Sinaj i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar në rrjetet sociale se ai nuk ka përfituar asnjë fond nga shteti dhe se pagën e tij e jep për bamirësi.