Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për autorin e vrasjes së dyfishtë në Kurjan të Roskovecit, Altin Kuka. Mësohet se Kuka së bashku me dy djemtë e tij Ervis dhe Emaurisio Kuka si dhe Tomor Zyka janë lënë në burg.
Ndërkohë familjarët e viktimave janë paraqitur para Gjykatës së Apelit ditën e sotme duke kërkuar drejtësi për dy vrasjet.
Dy vëllezërit Kurtaj u vranë me armë zjarri pak ditë më parë pas një konflikti me një prej djemve të autorit. Të shtënat ndodhën në një lokal të fshatit, ku Altin Kuka shkoi bashkë me të birin 21-vjeçar “për t’u sqaruar”. Zanafilla dyshohet të ketë qenë një sherr i ndodhur mes djalit të autorit të dyshuar dhe djalit të njërit prej viktimave, Gramos Kurtajt. Dy vëllezërit, Ladimir Kurtaj dhe Gramos Kurtaj njëri 52 vjeç dhe tjetri 46 vjeç, kanë qenë duke pirë kafen e drekës në lokalin në pronësi të tyre, kur në derë ka mbërritur Altini i armatosur dhe i ka qëlluar.