Policia e Durrësit ka bërë të mundur goditjen e një tjetër rasti kultivimi të bimëve narkotike. Në pranga ka rënë 62-vjeçari Prend Çela. Ai u arrestua pasi banesën që kishte marrë me qira, një papafingo në lagjen nr. 13 në Durrës, e kishte kthyer në një laborator për kultivimin e drogës. Çela e kishte përshtatur banesën me aparatura që shërbejnë për rritjen e kanabisit.
“Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, i cili banesën e marrë me qira e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba”.
Siç thotë policia përveç këtyre aparaturave, ai kishte kryer ndërhyrje edhe në matësin e energjisë elektrike. Për këtë arsye, autoritetet proceduan penalisht për shpërdorim detyrë dy elektricistë të OSHEE-së, Edmirand Estrefi, 34 vjeç dhe Sokol Dalipaj, 38 vjeç pasi nuk kanë kontrolluar linjën elektrike dhe matësin e energjisë.
“Gjithashtu u proceduan penalisht, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit E. E., 34 vjeç banues në Xhafzotaj dhe S. D., 38 vjeç, banues në Durrës, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, të cilët nuk kanë përmbushur detyrën sipas ligjit, pasi nuk kanë kontrolluar linjën elektrike dhe matësin e energjisë elektrike”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bimë narkotike kanabis sativa dhe pajisjet që shërbenin për kultivimin e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al