Pas letrës dashamirëse që presidenti rus Vladimir Putin, i dërgoi me rastin e 80 vjetorit të çlirimit të Beogradit, ai dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç kanë zhvilluar edhe një bisedë telefonike.
“Zhvillova një bisedë shumë të mirë me presidentin rus Putin”, ka njoftuar Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram, duke shtuar se shpreson që Serbia të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Presidenti kujtoi se nuk kishte folur me homologun e tij rus për gati dy vjet e gjysmë dhe theksoi se kjo telefonatë ishte “e hapur, e gjatë dhe kuptimplotë”.
“Shpreha shpresën, ashtu si dy vjet e gjysmë më parë, se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse, e gjithashtu mirënjohje të jashtëzakonshme për mbështetjen e Moskës në OKB në lidhje me rezolutat e ndryshme dhe për integritetin territorial të Serbisë”, tha Vuçiç.
Presidenti serb, i cili së fundmi ka marrë ftesë nga presidenti rus për samitin e BRICS në Kazan, tha se më shumë detaje rreth bisedës me udhëheqësin rusë do ti zbulojë të hënën, gjatë një interviste për Radio Televizionin Publik të Serbisë. (A2 Televizion)