Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Isuf Hasën, i akuzuar për vrasjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta.
81-vjeçari u gjet pa shenja jete mëngjesin e 13 janarit në oborrin e banesës në periferi të Tiranës, i goditur me sende të forta në pjesën e pasme të kokës.
Pas hetimeve për ngjarjen, policia doli në përfundimin se ai u vra me çekiç për motive të dobëta e më pas u grabit nga fqinji tij, Isuf Hasa, 64 vjeç.
Policia deklaroi se nga kontrollet e ushtruara në disa banesa të autorit dhe familjarëve te tij, u gjetën 200.00 mijë lekë të rinj, ndërsa çekiçin e kishte fshehur në banesën e vajzës së tij në Vorë.
81-vjeçari jetonte i vetëm në fshat, ndërsa familjarët e tij jetojnë në kryeqytet. Këta të fundit kanë deklaruar se i moshuari nuk kishte konflikte me askënd.