Një tjetër akuzë vjen nga radhët e Partisë Demokratike për manipulim të procesit zgjedhor për kryetarin e degës nr.2 në Tiranë. Pas kandidates Irma Marku, ka shpërthyer në akuza edhe Dritan Gazidedja, i cili në një postim publik hedh hije të forta dyshimi për manipulimin e rezultatit. Ndërsa kandidoi për kryetar dege në zgjedhjet që u zhvilluan më 11 janar, Gazidedja shkruan se jo vetëm që iu ndryshua rezultati, por nuk ka marrë asnjë sqarim.

Pasi u njoftua se mori 112 vota, Gazidedja thotë se u largua, por menjëherë çuditshërisht rezultati i tij ishte ndryshuar. Ai shkruan qartë se ‘futën duart në votat e numëruara’ ndërsa të gjithë në Partinë Demokratike heshtin sikur kjo nuk ka ndodhur kurrë.

“Jam larguar menjëherë sapo mësova rezultatin tim: 112 vota. Shtëpia ime është 1 km larg PD-së. Nga momenti kur kanë bërë ndryshimet e pikëve, rreth 20 minuta pas largimit tim dhe deri tani nuk kam asnjë sqarim nga ata që e kanë për detyrë, kushtetuese, ligjore, nënligjore dhe për respektimin e rregullores, përse po fusnin duart në vota të numëruara, ndërkohë që unë duhej të isha prezent për të parë çfarë kishte ndodhur! Kam tentuar të marr informacion, por heshtje totale, sikur kjo s’ka ndodhur kurrë. Mendja e tyre”, shkruan Gazidedja.

Gazidedja hedh akuza edhe në drejtim të një gruaje, për t¡ cilën thotë se ulej në karrigen e kryetarit të Komisionit një person që ka 7 vjet që s’ka lidhje me degën 2 të Partisë Demokratike pasi banon në Astir.

“Në fakt, jo vetëm që nuk u largua, por disa herë gruaja Rovena Paci u bë kryetare komisioni dhe misionin e kryente më së miri, duke bërë sikur ndihmonte ata hallexhinjtë! Ore, kjo Rovena ka 7 vjet që s’ka lidhje me degën 2, banon në Astir”, vijon ai.

Dyshime se në këtë proces u përfshinë edhe persona të tjerë që nuk kishin lidhje me këtë degë, hodhi edhe kandidatja tjetër për kryetare Irma Marku. Ajo ngre pyetjen në drejtim të funksionarëve të lartë të PD, se kush i ka sjellë votuesit e degëve të tjera, madje edhe nga Kukësi, që të votonin për kryetaren e degës nr.2.

“Kush i ka sjellë votuesit e degëve të tjera, edhe nga Kukësi, që të votonin në degën nr.2?”, shkroi ajo. 

Për këtë proces, nga Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë reagim pas gjithë këtyre akuzave për manipulime. Madje, kanë nisur dyshimet se është fryrë edhe lista e anëtarësisë. Në një reagim publik, gazetari pranë Berishës, Basir Çollaku hedh hije dyshimi për fryrjen e listës së anëtarësisë, por edhe fryrjen e votave me 100, të gjitha në favor të kryetares së shpallur fituese Majlinda Prendi.

Çollaku shkruan se “Në listë mungonin rreth 315 emra nga lista e degës, shumica pjesë e rithemelimit. Ishin shtuar 260 të tjerë, afërsisht 100 prej tyre jo banorë të degës dhe jo anëtarë të PD-së. Kishte emra nga rrethinat e Tiranës dhe qytete të tjera. Gjithashtu, kishte emra të panjohur për strukturat. Materialet zgjedhore u hapën pa praninë e vëzhguesve të kandidatëve. Nuk u lejuan të votojnë 132 persona.”

Pas përfundimit të procesit të votimit, Çollaku thotë se në një pako me fletë votimi dolën 100 fletë minus dhe rezultati i parë ishte ky: 657 pjesëmarrës ne votim. Irma Marku merr 329 vota, Dritan Gazidede 112 vota, Majlinda Prendi 213 vota dhe 3 vota të pavlefshme.

Me kërkesë të kryetarit të Komisionit, votat janë rinumëruar dhe çuditërisht 100 vota tepër kanë shkuar për Prendin. Nga rinumërimi numri i votuesve shkon nga 657 në 754. Gazidedes i zbresin 30 vota nga 112 në 82. Për, Markun asnjë votë ndërkohë që Prendi shkon nga 213 vota në 340.

Postimi i plotë

Të nderuar demokratë, qëndrestarë të degës 2, pjesëmarrës të listave të rregullta të procesit për zgjedhjen e kryetarit të degës 2! Unë ju falënderoj pa masë që, në ditën e ftohtë të datës 11 janar, gjetët kohë, erdhët dhe më votuat. Natyrisht, edhe në përmbushje të detyrave statutore, falënderoj pjesën tjetër që nuk më votoi, por me qytetari mbushën ambientet e PD-së.

Miq të mi!

Jo më kot e shtyva këtë moment falënderimi, për të pasur mundësi të informohem se çfarë ka ndodhur pas largimit tim nga dhoma e numërimit të votave.

Jam larguar menjëherë sapo mësova rezultatin tim: 112 vota. Shtëpia ime është 1 km larg PD-së. Nga momenti kur kanë bërë ndryshimet e pikëve, rreth 20 minuta pas largimit tim, dhe deri tani nuk kam asnjë sqarim nga ata që e kanë për detyrë, kushtetuese, ligjore, nënligjore dhe për respektimin e rregullores, përse po fusnin duart në vota të numëruara, ndërkohë që unë duhej të isha prezent për të parë çfarë kishte ndodhur!

Kam tentuar të marr informacion, por heshtje totale, sikur kjo s’ka ndodhur kurrë. Mendja e tyre!

Të dashur miq, qëndrimin tim ndaj procesit zgjedhor në tërësi, me të gjitha problematikat që kam gjykuar se kanë deformuar rezultatin, e kam ankimuar te strukturat përkatëse brenda PD-së.

Një moment dua t’ia kushtoj rastit të komisionerit tim. Isha i kënaqur që z. Ermal Ponari pranoi propozimin tim për anëtar komisioni votimi.

Të nesërmen në mëngjes më telefonon dhe më thotë që është caktuar dikush tjetër. E kuptova qëllimin dhe i thashë të vazhdonte si vëzhgues, dhe kështu ndodhi!

Por është tragjike që në karrigen e kryetarit të komisionit të ulet në mënyrë të përsëritur një grua e cila nuk duhet të qëndronte fare në atë ambient votimi.

Kur e pashë te dera e QV-së, komunikova me EM, i cili më siguroi se do ta largonte.

Në fakt, jo vetëm që nuk u largua, por disa herë gruaja Rovena Paci u bë kryetare komisioni dhe misionin e kryente më së miri, duke bërë sikur ndihmonte ata hallexhinjtë!

Ore, kjo Rovena ka 7 vjet që s’ka lidhje me degën 2, banon në Astir!

Çfarë ligji apo rregulloreje e njeh Rovenën të jetë në komision dhe jo Ermalin, këtë nuk e kuptoj. Në fakt, vetëm rregullore nuk kishte!

Ermal, miku im, vlerat e tua janë të qëndrueshme dhe të padiskutueshme!

Të dashur miq demokratë, që nga e diela po kaloj një grip shumë serioz, por takimet tona miqësore do të jenë më të shpeshta, pasi kemi një çati të përbashkët, PD-në!

Me shumë respekt dhe mirënjohje,

Dritan

Postimi i Dritan Gazidedjas

SI.E./Shqiptarja.com