Erion Murataj PSD

Në kuadër të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë, 100 emigrantë pritet të mbërrijnë në Portin e Shëngjinit brenda kësaj jave, ku do të akomodohen përkohësisht në qendrën e pritjes në Gjadër.

Ditën e nesërme, të enjten e 10 prillit, do të vijnë dy anije me emigrantë. Në orën 15:00 mbërrin anija e parë dhe rreth orës 19:00 do të vijë anija e dytë. Një anije ushtarake italiane me 15 emigrantë bëhet me dije se është nisur nga porti i Brindisi drejt Shqipërisë. Gjithashtu mësohet se 25 emigrantë të tjerë do të nisen mbrëmjen e sotme.

Qendrat e pritjes në Gjadër dhe Shëngjin janë ndërtuar si pjesë e një bashkëpunimi dypalësh, që ka për qëllim të sigurojë kushte dinjitoze për emigrantët gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm. Afati maksimal i qëndrimit në këto qendra është 18 muaj, një periudhë gjatë së cilës do të zhvillohen të gjitha procedurat ligjore për sistemimin ose riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës.

Ky bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Italisë dëshmon angazhimin e përbashkët për një menaxhim më efikas dhe të organizuar të emigracionit, duke vendosur standarde të reja për trajtimin dhe integrimin e përkohshëm të emigrantëve në rajon.