Ukraina goditi me eksploziv të vendosur nën ujë urën që lidh Rusinë dhe Gadishullin e pushtuar të Krimesë, në sulmin e saj të tretë në linjën jetësore të furnizimit për forcat e Moskës që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë në vitin 2022.
Shërbimi i sigurisë i Ukrainës tha në Telegram se agjentët minuan shtyllat e urës rrugore dhe hekurudhore të Krimesë, e quajtur edhe Ura e Kerçit. Eksplozivin e shpërthyen në orën 4:44 të mëngjesit këtë të martë. I gjithë operacioni zgjati disa muaj, shtoi ai, ku u përdorën 1.100 kilogramë eksplozivë, që “dëmtuan rëndë” shtyllat nënujore që mbështesin urën.
Trafiku në urë u ndërpre për disa orë të martën në mëngjes, pastaj përsëri në mes të pasdites, përpara se të rifillonte pak para orës 6 pasdite sipas orës lokale. Ky sulm është shembulli më i fundit i përpjekjeve të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës për të habitur Moskën dhe për të demonstruar se ka kosto për të vazhduar luftën e saj, raporton CNN.
E ndërtuar pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Putini e përuroi urën në vitin 2018. Projekti kushtoi rreth 3.7 miliardë dollarë.
Sulmi i së martës shënon herën e tretë që Ukraina ka shënjestruar urën që nga pushtimi në shkallë të plotë i Moskës në vitin 2022. Në tetor të atij viti, një kamion me karburant shpërtheu në urë, duke përfshirë një pjesë të saj në flakë. Në korrik 2023, Shërbimit i Sigurisë së Ukrainës tha se kishte hedhur në erë një pjesë të urës duke përdorur një dron detar eksperimental . Të dyja herët, Rusia veproi shpejt për të riparuar pjesët e dëmtuara.