Nga Boldnews.al
Në një raport auditimi të vitit 2025, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konsideruar drejtpërdrejt përgjegjës kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja, për shkelje të rëndësishme në një tender me vlerë mbi 200 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës “11 Nëntori”.
Por, për Llatjan, KLSH-ja nuk e ka konsideruar shkelje, por vetëm ka dhënë rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit të tenderave publikë në Elbasan.
Qëndrimi i Llatjas, i cili nuk përputhet aspak me gjetjet dhe konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u shpreh gjatë një interpelance tërësisht jo-transparente, të zhvilluar këtë të Enjte (12 shkurt 2026) në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
“KLSH nuk gjeti shkelje, por rekomandoi”
Në raportin e auditimit, KLSH konstatoi se në tenderin për rikonstruksionin e rrugës “11 Nëntori”, me fond limit 22 milionë lekë të reja (mbi 220 mijë euro), “rezulton se disa Inxhinier (Ing. E. M.; Ark. E. T.; Ing. Top. E. M.) pjesë e grupit të punës për hartimin e projekt të zbatimit, nuk janë pajisur me licencën e projektimit”.
Po ashtu, KLSH-ja thotë se projekti është hartuar “pa oponencë teknike, duke përbërë një risk të shtuar për kryerjen e punimeve të ndërtimit në mospërputhje me normat dhe standardet e përcaktuara në dispozitat ligjore që rregullojnë veprimtarinë e ndërtimi”.

Për të dyja këto problematika, audituesit shtetërorë kanë arritur në konkluzionin se “ngarkohet me përgjegjësi Titullar i Autoriteti Kontraktor Bashkia Elbasan, z. Gledjan Llatja”.
Por, për kryebashkiakun e Elbasanit situata nuk është aspak ashtu siç ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Në dijeninë time nuk ka pasur inxhinierë të palicensuar”, deklaroi ai gjatë interpelancës jo-transparente.
https://streamable.com/e/odzlxp?
Më tej, Llatja deklaroi se “Bashkia e Elbasanit nuk ka në dispozicion inxhinierë për të gjitha llojet e punimeve. Por, në rastet e caktuara ne marrin inxhinierë të kontraktuar nga jashtë apo kemi një grup inxhinierësh që ndihmojnë Bashkinë për projekte të caktuara. Na është kërkuar në vazhdimësi nga KLSH që të kemi inxhinierë për punime specifike, por që kjo është e pamundur deri tani, për shkak të tregut dhe se sektori privat paguan më shumë se sektori publik. Megjithatë, i kontraktojmë për punime të caktuara”.
Ai nuk dha asnjë shpjegim konkret se ku e bazonte kundërshtinë e tij për gjetjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Bold news






