Një asteroid i rrallë metalik është zbuluar së fundmi i fshehur mes Marsit e Jupiterit, për të cilin shkencëtarët thonë se vlen më shumë se e gjithë ekonomia globale.
Kohët e fundit teleskopi hapësinor Hubble ka sjellë pamje të detajuara të objektit që sipas llogaritjeve vlen $1000 kuadrilionë, sipas universitetit shtetëror të Arizona.
Studimi i ri mbi asteroidin ’16 Psyche’, thotë se ai është një nga objektet më masive në brezin e asteroidëve të sistemit diellor. ‘16 Psyche’ orbiton mes Marsit e Jupiterit, rreth 230 milionë milje larg tokës dhe ka një diametër prej 140 milje.
Zakonisht asteroidët përbëhen prej shkëmbi ose gazi, por ajo që e veçon 16 Psyche është se ai përbëhet prej metali dhe studiuesit besojnë se është bërthama e mbetur e një planeti që nuk arriti të formohej, ose siç quhen ndryshe këto fenomene“protoplanet.”
Të dhënat tregojnë se asteroidi mund të jetë i gjithi hekur dhe nikel, materiale që gjenden zakonisht në qendrat solide të planetëve.
“Kemi parë meteorë që janë kryesisht metale por Psyche është unik si një asteroid i përbërë prej hekuri e nikeli,” thotë autorja kryesore e studimit Dr. Tracy Becker.
“Toka ka një bërthamë të metaltë, ka trupin dhe lëvoren. Është e mundur që Psyche te ishte nje protoplanet duke u formuar, dhe ndoshta është goditur nga një tjetër objekt në sistemin diellor.”
“Ne ishim të aftë të identifikonim për herë të parë një asteroid prej oksidi hekuri, që do të thotë se ka ardhur si rezultat i erërave solare mbi sipërfaqen e tij”, shtoi ajo.
Erërat solare janë rrjedha e pjesëzave të ngarkuara nga atmosfera e sipërme e diellit, e quajtur korona, siç janë dhe bishtat e kometave që duken kur ato kalojnë në qiell.