Po laheshin në det, por aventura e dy vajzave nga Elbasani mund të ishte kthyer në tragjedi ditën e sotme në plazhin e Golemit.
Dy vajzat, njëra 10 vjeçe dhe tjetra 17-të, kanë qenë duke u larë kur rrezikuan të mbyteshin. Fatmirësisht, ndërhyrja e pushuesve të tjerë ka bërë të mundur që ato të nxirren nga deti dhe më pas të ndihmohen nga policia dhe bluzat e bardha.
Njoftimi:
Policia, disa pushues dhe bluzat e bardha shpëtojnë 2 shtetase të mitura nga mbytja në det.
Efektivët e Postës së Policisë Golem të cilët patrullojnë përgjatë vijës bregdetare në Plazhin e Golemit, në bashkëpunim me disa pushues të tjerë që ndodheshin aty, pasditen e sotme kanë shpëtuar nga mbytja 2 shtetase të mitura të moshës 10 dhe 17 vjeçe, banuese në Elbasan.
Shtetaset e mitura aktualisht ndodhen në spitalin e Durrsit jashtë rrezikut për jetën nën mbikqyrjen e mjekëve.
Policia e Kavajës duke patrulluar përgjatë gjithë vijës bregdetare është e angazhuar në shërbim të pushuesve të cilët janë të lutur të telefonojnë në numrin 112 për çdo problem duke u garantuar një reagim të shpejtë dhe profesional.
(E.H/Faxweb.al)