Shefi për organizim të Lojërave Olimpike të Tokios, Yoshiro Mori, ka kërkuar falje të enjten për deklaratat e tij seksiste, mirëpo ka refuzuar të japë dorëheqje.
Komentet e Morit, në të cilat ka thënë se gratë flasin shumë nëpër takime, janë problematika e fundit për organizatorët, të cilët veçse po përballen me shqetësime të publikut për shtyrje të këtyre Lojërave, si pasojë e pandemisë.
Por, ish-kryeministri japonez, 83-vjeçar, ka nxitur edhe më shumë kritika kur ka pranuar se “nuk flet shumë me gratë”, në konferencën për media, të thirrur për të kërkuar falje për deklaratat paraprake.
Teksa ka thënë se deklaratat e tij “nuk kanë qenë adekuate”, ai ka mbrojtur veten kur i janë bërë pyetje për këtë gjë, duke thënë se ka dëgjuar ankesa se gratë flasin gjatë.
Mori raportohet të ketë thënë të mërkurën se “takimet e bordit të drejtorëve me shumë gra, marrin shumë kohë”, bazuar në të përditshmen, Asahi Shimbun.
“Kur rrisni numrin e grave të pozitave ekzekutive, nëse atyre nuk u kufizohet e folura për një periudhë, ato kanë probleme që ta përfundojnë fjalën, gjë që është e merzitshme”, është cituar të ketë thënë ai.
Mori, që njihet për deklarata të tilla, ka thënë se dëshiron të tërheqë deklaratat e bëra.
“Unë do të reflektoj thellësisht për këtë. Do të doja të tërhiqja ato që kam thënë. Do të doja t’i kërkoja falje secilit që është ofenduar”.
Mirëpo ai ka thënë se “nuk po mendon për dorëheqje”.
Komentet e tij kanë nxitur zemërim në Japoni, derisa në Twitter ka pasur një mori mesazhesh me thirrjet “mjaft më”, mizogjini” dhe “kërkojmë dorëheqjen e Yoshiro Morit”.
Top Channel