Fshati Fushë-Studën në Librazhd i pushtuar nga dëbora ofron një pamje piktoreske në këto ditë dimri.
I kthyer në një prej destinacioneve më të reja dhe më të frekuentuara në vend sa i përket turizmit malor ky fshat t’i ofron të gjitha, ajrin, ujin dhe natyrën e bukur, e cila është kurorëzuar me një liqen që vit pas viti tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Liqeni i Fushë-Studën ka marrë një pamje spektakolare, ndërsa i rrethuar nga bardhësia e borës i ngjan një pikture natyrale fantastike.
Fushë-Studën ndodhet në njësinë administrative Stëblevë në Librazhd dhe është një një ndër atraksionet më të bukura të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Simboli i Fushë-Studën është liqeni i saj, i cili ndodhet përballë fshatit rrëzë pyllit të ahut, çka i jep atij një pamje tepër piktoreske, dhe tërheq mijëra turistë në vit të huaj dhe vendas.
Fshati Fushë-Studën nga pozicioni gjeografik, pasuritë natyrorë, rekreative, traditat dhe kulturat, mundëson një turizëm të veçantë. Turistët në këtë vend mund të shijojnë, peshkim në ujërat malore, ecje sportive, alpinizëm dhe shumë atraksione të tjera që ky vend ofron.
Egnatia News